Berisha paralajmëron protesta në shtator - Ka prova për manipulimin e votave të diasporës
Opozita pritet të rikthehet në sheshe në fillim të shtatorit, pas refuzimit për të njohur rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se “shqiptarët kanë vetëm një rrugë – protestën dhe përballjen me narkoshtetin, për të rifituar votën e lirë”.
Berisha publikoi të tjera të dhëna që sipas tij provojnë manipulimin e votës së diasporës, duke vënë në dyshim procesin e votimit me postë. Sipas tij, zarfe me fletë votimi janë dorëzuar nga DHL një ose dy ditë para votimit ose pas përfundimit të zgjedhjeve.
“E ka dorëzuar me 9 maj, e ka marrë me 18 prill, më 9 maj… firmë e fortë kjo… këtë do e shohim nëse kompania ka ndonjë kinez të punësuar…”, ironizoi Berisha.
Duke komentuar gjithashtu dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji, Berisha e quajti atë një të burgosur politik dhe paralajmëroi se beteja ligjore do të vijojë në gjykatat ndërkombëtare.
“Mos mendojë kush se çështja Salianji mbyllet, vetëm sa ka filluar… ajo çështje do shkojë në Strasburg.”
Ai nuk dha komente për ndryshime në postet drejtuese të partisë dhe nuk specifikoi rolin e ri të Salianjit në PD.