Vodhi e çantën e ish-zyrtares së lartë amerikane, dënohet me 3 vite burg hajduti serial

Një hajdut serial është dënuar me tre vite burg pasi vodhi çantën e dorës së ish-sekretares së Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Kristi Noem, gjatë një darke familjare në Washington DC.
Ngjarja ndodhi në prill të vitit të kaluar, kur Noem po darkonte në një restorant të njohur të kryeqytetit amerikan. Çanta e saj, e markës Gucci, përmbante rreth 3 mijë dollarë në para të gatshme, si dhe dokumente personale të rëndësishme, përfshirë patentën, pasaportën dhe kartën e aksesit në DHS.
Autori i vjedhjes, Mario Bustamante Leiva, 50 vjeç, me origjinë nga Kili, nuk ishte në dijeni se po synonte një zyrtare të nivelit të lartë, bënë të ditur prokurorët. Sipas Departamentit të Drejtësisë, ai kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në SHBA dhe kishte kryer një seri vjedhjesh të ngjashme.
Në nëntor, Bustamante Leiva pranoi fajësinë për tre akuza mashtrimi elektronik dhe një akuzë për vjedhje të shkallës së parë. Pas përfundimit të dënimit, ai pritet të deportohet.
Hetimet zbuluan se autori përdorte një metodë të sofistikuar për të fshehur veprimet, duke mbuluar dorën me një pallto gjatë vjedhjes. Ai gjithashtu kryente transaksione me kartat e vjedhura brenda pak minutash.
Autoritetet arritën ta identifikonin përmes një karte dhuratë që ai kishte blerë me një kartë krediti të vjedhur. Çanta e Noem u gjet më vonë në dhomën e tij të motelit.
Rasti u hetua nga policia në bashkëpunim me Shërbimin Sekret, pasi Noem, si anëtare e kabinetit në atë kohë, ishte nën mbrojtjen e tyre gjatë incidentit.


