Ulen pritshmëritë për rritjen! Komisioni Europian: Ekonomia shqiptare pritet të ngadalësohet

Ekonomia shqiptare pritet të ngadalësojë ritmet e rritjes gjatë dy viteve të ardhshme. Në raportin e pranverës, Komisioni Europian parashikon që ekonomia të rritet me 3.3% në vitet 2026 dhe 2027, nga 3.7% që ishte rritja gjatë vitit 2025.
Sipas raportit, rritja do të vijojë të mbështetet kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe investimet, ndërsa turizmi do të mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë, edhe pse me ritme më të moderuara.
Komisioni Europian thekson se pasiguritë globale dhe rritja e çmimeve të energjisë, të ndikuara nga konflikti në Lindjen e Mesme, pritet të ushtrojnë presion mbi ekonominë dhe inflacionin gjatë vitit 2026.
Në raport ngrihet shqetësimi edhe për tregun e punës. Edhe pse papunësia parashikohet të mbetet në nivele të ulëta, emigracioni vijon të konsiderohet një sfidë për ekonominë shqiptare.
Brukseli parashikon gjithashtu që deficiti buxhetor të zgjerohet përkohësisht në vitin 2026 dhe të ngushtohet më pas në 2027, ndërsa borxhi publik ndaj PBB-së pritet të vijojë rënien.
Sipas Komisionit Europian, progresi në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian mund të ndikojë pozitivisht në ekonomi, duke rritur besimin dhe klimën e investimeve.


