Donald Trump tregon paralajmërimin që i bëri presidentit Putin: I thashë se do bombardoja Moskën
CNN publikoi një audio-regjistrim të presidentit amerikan Donald Trump, i cili gjatë një takimi privat me donatorë vitin e kaluar rrëfeu se si dikur ishte përpjekur të pengonte presidentin rus Vladimir Putin të sulmonte Ukrainën, duke e kërcënuar se do të “bombardonte Moskën” në shenjë hakmarrjeje.
“Putinit i thashë: ‘Nëse hyni në Ukrainë, do ta bombardoj Moskën deri në fund. Po ju them se nuk kam zgjidhje tjetër.’ Dhe pastaj ai tha: ‘Nuk ju besoj. S’ka shanse,’ por ia ktheva se ka shanse. Por në fund ai më besoi 10%.”, tha ai.
Trump pretendon më pas se i kishte përcjellë një paralajmërim të ngjashëm edhe presidentit kinez Xi Jinping, lidhur me një pushtim të mundshëm të Tajvanit, duke u shprehur se SHBA-të do të bombardonin Pekinin si përgjigje.
“Të njëjtën gjë i thashë edhe Xi. Ai mendonte se isha i çmendur, por në fund më besoi 10%.”, tha ai.
Deklaratat, të patransmetuara më parë, janë regjistruar në një takim për mbledhjen e fondeve në vitin 2024 në New York dhe Florida. Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente për regjistrimin.
Ndërsa Kremlini u shpreh se nuk ishte i sigurt për vërtetësinë e artikullit të CNN. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se kishte “shumë falsifikime” dhe se nuk ishte i sigurt nëse raporti ishte i vërtetë. Lajmi vjen në një moment kur Trump ka ashpërsuar gjuhën ndaj Vladimir Putin. Një ditë më parë, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Putin thotë shumë budallëqe dhe po vret njerëz të pafajshëm. Orët e fundit, Moska ka ndërmarrë një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës.