Përmbytjet në New Mexico, humbin jetën tre persona, mes tyre dy fëmijë
Shirat e rrëmbyeshëm që goditën shtetin e New Mexico në Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar përmbytje shkatërruese në zonën malore të Ruidoso, duke marrë jetën e tre personave, përfshirë dy fëmijë të moshës 4 dhe 7 vjeç.
Sipas autoriteteve lokale dhe ekipeve të emergjencës, ujërat e rrëmbyeshëm përfshinë banesa dhe rrugë, duke bllokuar dhjetëra banorë brenda shtëpive dhe makinave. Viktimat u rrëmbyen nga rrjedha e fuqishme, ndërsa përpjekjet për shpëtim dhe kërkim vijojnë në kushte të vështira.
Pamjet dramatike të publikuara në rrjet tregojnë momente tronditëse, ku një shtëpi e tërë shkëputet nga themelet dhe zhduket nën rrjedhën e lumit Ruidoso, i cili është shndërruar në një rrjedhë të fuqishme baltërash dhe rrëmuje.
Banorët e zonës e përshkruajnë situatën si “apokaliptike”, ndërsa autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes maksimal, veçanërisht në zonat që ndodhen pranë shtratit të lumit.
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën intensive për të lokalizuar të zhdukurit dhe për të ndihmuar të bllokuarit, ndërkohë që zona mbetet nën monitorim të rreptë për reshje të mëtejshme dhe rrezik të shtuar për rrëshqitje dhe përmbytje të reja.