U konfiskua se shkeli lejen e ndërtimit, ja kush është pronari i pallatit në Vlorë! Dikur Drejtor i Urbanistikës
Një pallat në qytetin bregdetar të Vlorës është konfiskuar dhe tashmë i ka kaluar shtetit. Konfiskimi vjen në vazhdë të aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.
“Sot do të bëhet një konfiskim i një kuazi pallati në Vlorë që është në shkelje të lejes së ndërtimit, ky proces synon të bashkojë dy gjëra, s’kemi asnjë minutë për të humbur. Kemi marrë përsipër të mbyllim procesin e legalizimeve. Historia ndërto sot se do legalizohet nesër nuk do te eci me”. Sapo Kryeministri Edi Rama dha paralajmërimin në mbledhjen me deputetët e qarkut të Tiranës, menjëherë në Vlorë u shfaq drejtuesja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici.
Ajo inspektoi pallatin në ndërtim, nga ku deklaroi se ka shkelur lejen e ndërtimit. Bici, e cila thotë se të gjitha subjektet që kanë shkelur apo do të shkelin lejen e ndërtimit, do të kenë të njëjtin fat, pra konfiskimin. Leja për këtë pallat me 8 kate është dhënë në korrik të 2021, ndërsa aktualisht punimet ishin në katin e dyte. Zhvillues është kompania ‘Armeer Konstruksion’ dhe Fatmir Halla, ndërsa punimet po i zbatonte firma “Stroytech”.
Report Tv ka mësuar se “ARMEER KONSTRUKSION”, një ndër zhvilluesit e pallatit, është në pronësi të Erjon Ahmataj, i cili ka qenë Drejtor i Urbanistikës në Bashkinë Vlorë, kur kjo e fundit drejtohej nga Dritan Leli.
IKMT pritet të përgatisë një raport të detajuar mbi gjetjet në terren, ndërkohë që kryeinspektorja ka paralajmëruar masa ndaj subjekteve që rezultojnë në shkelje të ligjit për territorin. Mësohet se më herët IMT ka vendosur tre gjoba në Vlorë me 50 milionë lekë secila për shkelje të lejes së ndërtimit.